Advertisement
Logo
Logo
Opinione

Rusia ka ofruar një armëpushim të shkurtër, por ja çfarë dëshiron vërtet Putini

Admin
3 Maj 2025 07:04
Rusia ka ofruar një armëpushim të shkurtër, por ja çfarë dëshiron vërtet Putini

Nga: Andriy Yermak / The Guardian

Të hënën, Kremlini ofroi një pauzë treditore të luftimeve kundër Ukrainës, për në maj, për të përkuar ato me festimet e Moskës për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Në një kontekst ku Ukraina po kërkon armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor dhe ShBA-ja po kërkon paqe të përhershme, Rusia kërkon koncesione përpara se të mund të diskutohej për një pauzë të qëndrueshme ose një paqe të përhershme. Në qendër të kërkesave të Kremlinit është heqja e sanksioneve – veçanërisht atyre që kufizojnë sektorin e aviacionit.

Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos bëjmë lëshime para kohe, sidomos jo nën petkun e një përparimi të shpejtë. Pauza e shkurtër e ofruar nuk do të sillte ndonjë ndryshim domethënës në luftë, dhe pranimi i saj do t’i jepte përfitime një regjimi që ka treguar në mënyrë të përsëritur synimin për ta zgjatur luftën agresive dhe për të minuar këtë mundësi për një paqe të drejtë, të ndershme dhe të qëndrueshme.

Masat aktuale kufizojnë qasjen në tregun perëndimor për linjat ajrore ruse dhe bllokojnë importet e pjesëve kritike, shërbimet e mirëmbajtjes dhe pajisje të tjera – përfshirë ato me përdorim të dyfishtë që mund të zbatohen për qëllime ushtarake. Në pamje të parë, kërkesat e Moskës për lehtësira duken të thjeshta dhe të lehta për t’u përmbushur – një “fitore e shpejtë” për të dyja palët.

Megjithatë, natyra në dukje humanitare dhe ekonomike e kërkesës së Rusisë fsheh avantazhin politik dhe ushtarak që çdo zbutje e sanksioneve ndaj aviacionit do t’i jepte presidentit rus dhe makinës së tij të luftës. Aktualisht, këto sanksione janë një dëshmi e qartë për mënyrën se si aftësitë ushtarake të Kremlinit po pengohen në mënyrë domethënëse dhe të suksesshme.

Sanksionet ndaj aviacionit shërbejnë si një simbol i fuqishëm dhe si pengesë praktike për Rusinë. Linjat mes sektorit privat dhe atij publik në ekonominë e luftës të Rusisë janë të paqarta – veçanërisht në fushën e aviacionit. Linjat ajrore nuk janë viktima të pafajshme të regjimit të sanksioneve, por pjesëmarrës aktivë në mbështetjen e pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia. Ashtu si propagandistët rusë që vazhdojnë të udhëtojnë lirshëm në Evropë dhe të blejnë prona me “para gjaku”, apo si fabrikat kimike që shmangin kufizimet ndaj eksporteve të plehrave kimike duke ushqyer makinën luftarake të Rusisë.

Duhet kuptuar se sektori i ashtuquajtur civil i aviacionit në Rusi është kthyer në një front për transport, logjistikë dhe kontrabandë në shërbim të ushtrisë së saj. Linjat ajrore dhe aeroportet civile të Rusisë janë të përfshira në mënyrë aktive në shmangien e sanksioneve ndërkombëtare, duke dërguar komponentët kritikë për industritë e sanksionuara ruse. Kompanitë si Volga-Dnepr ofrojnë shërbime transporti për qëllime ushtarake. Sipas Qendrës së Rezistencës Kombëtare të Ukrainës, I Fly – një shërbim çarter – transporton ushtarë për t’i dërguar në vijën e frontit. Aeroporti i Vnukovo në Moskë, dikur një pikëtakim i turistëve, është sanksionuar nga BE-ja për shkak të përdorimit të tij në mbështetje të luftës kundër Ukrainës. Aeroporti i Pskovit operon si për fluturime tregtare, ashtu edhe si bazë për aeroplanët e transportit ushtarak.

Për më tepër, normalizimi i lidhjeve ajrore do të hiqte një nga kufizimet kryesore në jetën e përditshme të rusëve, duke e liruar Moskën nga çdo presion i brendshëm për paqe. Duke e parë këtë si një tjetër fitore të Putinit, qytetarët do të ishin më të prirur që të mbështesnin vazhdimin e luftës, në vend që të kërkonin negociata.

Këto sanksione nuk përfaqësojnë thjesht një bezdi: ato janë një pengesë e drejtpërdrejtë për vazhdimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe një kujtesë e dukshme e pasojave të agresionit të saj. Në vend që të zbuten, duhet të ndërtojmë mbi suksesin e regjimit aktual të sanksioneve. Aeroportet dhe linjat ajrore që shërbejnë si objekte me përdorim të dyfishtë, duke trafikuar mallra të sanksionuara, duhet të përballen me pasoja. Kompanitë që ndihmojnë logjistikën ushtarake duhet të mbeten në listën e zezë. Monitorimi i zinxhirëve të furnizimit duhet të forcohet për të parandaluar devijimin e pjesëve për qëllime ushtarake.

Fakti që zyrtarët rusë e kanë bërë heqjen e sanksioneve ndaj aviacionit si prioritet në kanalet diplomatike, tregon qartë efektivitetin e tyre. Politikanët duhet ta kuptojnë se kjo është dëshmi se sanksionet po funksionojnë. Rusia po bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar për të shpëtuar sektorin e saj të aviacionit – çdo lehtësim në këtë fushë duhet të kushtëzohet me angazhime të rëndësishme nga Moska për marrëdhënie paqësore dhe të begata me Ukrainën. Nuk duhet bërë pazar.

Për sa kohë që Rusia mbetet e përkushtuar ndaj agresionit të saj të paligjshëm, qielli duhet të mbetet i mbyllur për transportuesit rusë. Çdo veprim që e zbut këtë qëndrim do të forcojë aftësinë e Rusisë për të siguruar teknologji të sanksionuar, për të forcuar logjistikën ushtarake dhe për të qetësuar popullsinë e vet. Që nga fillimi i luftës së saj të paprovokuar dhe të paligjshme të agresionit, hapësira ajrore e Ukrainës është përshkuar nga aeroplanët luftarakë dhe raketat – jo nga aeroplanët civilë. Pse duhet që rusët të gëzojnë lirinë e udhëtimit ajror, ndërsa ukrainasit nuk mund të ndihen të sigurt as në vendin e vet? /Telegrafi/

Nga Rubrika
Copyright © 2025 - Cms Ph*