Advertisement
Logo
Logo
Opinione

Drejt rrënimit të rendit dhe tregtisë së lirë botërore

Admin
10 Prill 2025 03:37
Drejt rrënimit të rendit dhe tregtisë së lirë botërore

Vendosja e tarifave doganore nga presidenti Trump më 2 prill ishte goditja tjetër e madhe e shtyllës së tretë të rendit botëror – globalizmit dhe tregtisë së lirë. Ky rend i krijuar mbas Luftës së Dytë Botërore mbështetet në triptikun domethënës gjeopolitik: forcën e të drejtës mbi të drejtën e forcës, zhvillimin e diplomacisë shumëpalëshe mbi bazën e organizatave dhe konventave ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të krizave dhe konflikteve të armatosura dhe forcimin/diversifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar pa pengesa tarifore/teknike.

Rikujtojmë se për realizimin e dy shtyllave të para u krijuan OKB-ja, Banka Botërore, FMN-ja, FAO, OBT-ja, OBSH-ja, UNESCO, BE, NATO dhe grupime të shumta rajonale. Me gjithë mungesat dhe mangësitë e njohura, kritikat dhe nevojën e riparimeve/përmirësimeve të rastit, ky rend botëror ka treguar bindshëm se funksionon më mirë se çdo alternativë tjetër në të tre këto komponentë kryesorë. Mirëpo, mbas 21 janarit 2025 po instalohet rend një botë tjetër, sipas parimit “secili kundër secilit”; ShBA-ja po heq dorë nga roli si “xhandar” ndërkombëtar dhe mburojë e aleancës perëndimore si dhe nga organizatat shumëpalëshe, përfshirë dhe OSBE-në me tri shtyllat e saj të ngjashme. Sipas doktrinës së re amerikane, shtetet më të dobëta dhe më të vogla duhet t’i përulen vullnetit, qoftë edhe absurd të vendeve më të mëdha dhe më të fuqishme. Bëhet fjalë për një botë ku ashtu si deri më 1945, çdo ide dhe apel me frymëzim moral në politikën e jashtme cilësohet si dobësi e më të dobëtit, ndërsa ushtrimi amoral i forcës nga një fuqi e madhe nderohet si virtyt i më të fortit.

Nga Rubrika
Copyright © 2025 - Cms Ph*